33 deputetët e LSDM-së dhe partnerëve të koalicionit parashtruan në Kuvend dorëheqjet e tyre. Kreu i LSDM-së Zoran Zaev kritikoi Gruevskin dhe pushtetin e tij se me forcë ka verifikuar mandatet e deputetëve të opozitës duke shkelur Kushtetutën edhe ligjet si dhe duke kryer presion ndaj pushtetit gjyqësor.
'Me dorëheqjet e parashtruara i bëjmë me dije Nikolla Gruevskit dhe pushtetit të tij se nuk mundet me force ta kthej opozitën në Kuvend. Nikolla Gruevski duhet ta merr përgjegjësinë për zgjedhjet kriminale dhe për problemet që dolën nga to. LSDM-ja në koordinim me partnerët e koalicionit përgatit platformë për veprimet e mëtejme jashtë parlamentit kundër këtij regjimi të pushtetit', deklaroi Zoran zaev, kryetar i LSDM-së.
Zaev duke mos shpalosur përmbajtjen e platformës, pret që ajo të mbështetet nga të gjitha forcat progresive në shoqëri me qëllim të kthimit të institucioneve demokratike dhe krijimin e kushteve për mbajtje të zgjedhjeve të lira dhe demokratike të cilat do të reflektojnë vullnetin e qytetarëve. Ndërkohë i pyetur se sa vendimin i opozitës do të ndikoj në procesin euro-integrues të vendit, Zaev theksoi se në këtë drejtim Nikolla Gruevski dhe pushteti i tij janë armiqtë më të mëdhenj të Maqedonisë.
'Për të mos e prishur imazhin e RM-së ne u kthyem në parlament, pas pjesëmarrjes tonë në komisione u kthyem edhe në seancat plenare, për këtë shkak sollëm raport për 24 dhjetorin, miratuam bashkë Kodin Zgjedhorë dhamë shans për vetëdijesim. Vetëm ai që është larg realitetit mund ta akuzoj opozitën për pasojat e ardhshme negative. Pushteti dhe vetëm pushteti me në krye Nikolla Gruevskin është fajtor për gjendjen në Maqedoni, ne nuk ikim, jemi këtu', tha Zoran zaev, kryetar i LSDM-së.
E vetmja që nuk ka deponuar dorëheqjen është deputetja Roza Topuzova-Karevska që vjen nga PLD-ja. Partia e cila nominoi Topuzova --Karevskën për deputete shprehet se ky hap i saj është dëshpërues, është një vetëvrasje politike për të dhe vjen në një moment kritik për Maqedoninë. Përkundër këtij vendimi, PLD-ja mbetet në koalicion me LSDM-në dhe vazhdon të mos njoh rezultatin e zgjedhjeve, të cilat i vlerëson si kriminale. Sipas Kodit Zgjedhor, në afat prej tre ditëve pas konstatimit të ndërprerjes së mandatit të deputetëve, KSHZ-ja njofton kandidatët e radhës nga lista dhe ata kanë afat prej 8 ditëve për tu shprehur nëse pranojnë apo jo mandatin. Bedri Rexhallari