A1 Report - Protesta me çadra, 6 nga 13 greviste jane te lidhur me PD

Report TV 2015-08-22

Views 6

TIRANE- Mes punonjësve të administratës publike të cilët prej 21 majit protestojnë në çadrat e montuara përballë "Piramidës" pasi pretendojnë se janë pushuar nga puna në mënyrë të padrejtë, ka patur jo pak persona me lidhje politike me Partinë Demokratike apo biznesmenë, si dhe ish-efektivë të shkarkuar për shkelje të rënda ligjore.

"A1 Report" sjell historitë e këtyre protagonistëve në grevë, duke zbardhur dhe arsyet pse ata janë liruar nga detyra.

Ish-juristi i Ministrisë së Drejtësisë i larguar nga puna për shkurtim të vendit të punës Artan Murrizi, rezulton se në kohën kur punonte në ministri njëkohësisht e merrte një rrogë si përmbarues në Tiranë dhe të ardhura nga studio e tij ligjore, pasi ushtronte dhe profesionin e avokatit.

Për Edmond Idrizin, largimi nga puna ka ardhur pasi ky efektiv i Drejtorisë së Burgjeve është gjetur në shkelje ligjore në orarin e punës, dhe pas largimit nuk ka asnjë ankimim në gjykatë.

Ndërsa ndër grevistët nuk kanë munguar dhe militantët e PD-s, si Gladiola Bardhoshi e cila ka qenë pjesë e shtabeve elektorale me sloganin "Ne jemi ndryshimi", apo Mahir Reçi, i cili rezulton të ketë qenë komisioner i PD-së në zgjedhjet e 23 qershorit në zonën e Tufinës.

Tonin Kolthi, një tjetër grevist i cili i është bashkangjitur grevës më 23 maj, ka punuar si efektiv i policisë pranë komisariatit të Laçit deri në fund të vitit 2013 kur është shkarkuar nga detyra, pasi kur është futur në radhët e policisë, në vitin 2005 pas rikthimit në pushtet të Partisë Demokratike, nuk ishin plotësuar kriteret ligjore.

Krejt ndryshe është historia e ish-gardistit Mehmet Cemurati. Ai është shkarkuar vetëm më 25 Prill të 2014-ës nga radhët e policisë pasi sipas akuzës ka shkelur betimin që e ndalon çdo polic të marrë pjesë në organizime politike.

Në fakt në datën 12 Prill 2014 gardisti Cemurati është i filmuar në aktivitetin e organizuar nga Bashkia e Tiranës, ku në inaugurimin e një rruge ka marrë pjesë edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Gardisti Cemurati është prezent krah Lulzim Bashës si pjesëmarrës në aktivitet.

E teksa në grevë aktualisht ndodhen 13 protestues, gjysma e tyre pra 6 persona rezultojnë të shkarkuar si më sipër dhe me lidhje me selinë blu.

Ku prej ditësh deputetë të PD dhe kreu i saj deklarojnë se protestuesit nuk kanë lidhje me PD, por faktet janë ato që rrëzojnë pretendimet e Bashës dhe mbrojtësve të kësaj proteste me çadra.

Share This Video


Download

  
Report form