21 shtet nga e gjithë bota, do të marrin pjesë me filmat e tyre të shkurtër, në Festivalin e Filmit TIFF, në Tetovë, që do të mbahet, nga data 27 deri në 31 Maj. Përveç filmave të metrazhit të shkurtër që do të garojnë në këtë festival, për publikun, do të shfaqen edhe tre filma të metrazhit të gjatë, siç janë, Heroi, ADA, dhe 'Ballkani nuk ka vdekur'.
"Kemi pasur diku 900 aplikime dhe ka qenë një punë shumë e lodhshme, megjithatë së fundmi si nus produkt është një kënaqësi e madhe që edhe qyteti jonë të bëhet me një festival me traditë. Ndërsa me filmat e gjatë, do të prezantojmë për qytetarët që është me ftesa dhe e lirë hyrja dhe natën e parë do e hapim me filmin "Heroi", që vjen nga qendra kinematografike e Kosovës, natën e dytë do të shfaqim filmin "ADA", që vjen nga qendra kinematografike e Tiranës ndërsa natën e tretë do të shfaqim filmin Balkan is not dad, nga qendra kinematografike e Maqedonisë, dhe natën e katërt do kemi ndarjen e shpërblimeve dhe do ti shohim filmat fitues", tha Sabedin Selmani, Drejtor i TIFF.
Për nevojat e studentëve, në kuadër të festivalit, do të promovohen edhe tre libra të autorëve të vendit dhe të huaj, që kanë të bëjnë kryesisht me mjeshtërinë e përgatitjes së filmave.
"Do të ketë edhe promovime të librave por ajo është kryesisht për nevojat tona shkollore dhe për nevojat tona të kineastëve, pra kemi libra të dedikuar për nevojat tona",u shpreh Sabedin Selmani, Drejtor i TIFF.
Mysafir të këtij festivali, pritet të jenë, Çun Lajçi, Arben Bajraktari, Enver Petrovci, dhe regjisori Luan Kryeziu. Festivali Ndërkombëtarë i Filmit, TIFF, do të mbahet në shtëpinë e kulturës, gjegjësisht në sallën e re të Fakultetit të Arteve në Tetovë, ndërsa hyrja për qytetarët do të jetë e lirë. Bashkim Sulejmani