HIMARË - Nisma e deputetit Koço Kokëdhima, "Marrëveshja e Himarës" është organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, Bashkinë e Himarës, INUK dhe policinë me qëllim rehabilitimin arkitekturor të fshatrave të jugut.
Eventi ka si synim thellimin e tematikës mbi zhvillimin turistik bregdetar, e mbi të gjitha ndërgjegjësimin e popullsisë vendase për vënien në zbatim të projektit që është prezantuar nga një grup arkitektësh me në krye Piro Thomën.
Projekti për fshatrat e zonës bregdetare jugore i jep rëndësi menaxhimit të territorit, rikonstruktimit arkitekturor të banesave vendase dhe bashkëpunimin e banorëve për vënien në zbatim të tij.
Banorët e kësaj zone kanë pasur mundësi të ngrinin pyetje mbi probleme të së përditshmes së tyre, por edhe të ishin pjesë aktive e nënshkrimit të kësaj marrëveshje e cila sipas deputetit Kokëdhima synon t'i jap zgjidhje përfundimtare problemeve të zhvillimit kaotik urban që kanë marrë këto zona.
Kjo marrëveshje ka çuar në Himarë personalitete të njohura në nivel qeverisës të cilët në bashkëpunim me qytetarët e Himarës e fshatrave përreth kanë venë në fokus zhvillimin urban të kësaj zone, ndër më të rëndësishmet turistike në vend.
Në fokus të takimit me banoret e Himarës dhe fshatrave përreth kanë qenë diskutimet mbi çështje të zhvillimit urban, ruajtjes së vlerave monumentale e arkitektonike që zona ka dhe bashkëjetesa në harmoni me natyrën. Ndërsa janë prekur edhe çështje sikurse ndërtimet pa leje, procesi i legalizimit, procesi i kthimit të pronave ish-pronarëve.
Të pranishëm në këtë event kanë qenë Artan Shkreli, Konsulent në Kryeministri, Zydi Dajti, drejtori i INUK, Artan Lame, drejtori i ALUIZNI-t, Auron Tare, drejtori i Agjencisë së Bregdetit, Gjergji Goro, Kryetar i Bashkisë Himarë si dhe kryetarë të njësive vendore të qarkut të Vlorës etj.
Në fjalën e tij kreu i legalizimeve, Lamaj beri me dije se tashme kërkesat për ndërtim apo dhe vlerësimin për banesat të cilat nuk do t'i shpëtojnë sitës së INUK do të bëhen nga një ekspert i posaçëm i cili do të delegohet nga Tirana, duke i dhënë kështu fund autonomisë së pushtetit lokal mbi këtë çështje jetike për banorët e zonave të bregdetit të jugut.
Në fund të këtij takimi pozitivisht i janë përgjigjur nismës edhe qytetarë të Himarës të cilët kane firmosur marrëveshjen e prezantuar nga deputeti i tyre Kokëdhima.