LEZHË - Në takimin me qytetarët të Lezhës, kreu i PD-së Lulzim Basha ka theksuar se droga është sot kërcënimi më i madh i shoqërisë sonë prandaj shqiptarët janë sot më të vendosur se kurrë për t'i thënë ndal narkotrafikut dhe për ta nxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e kartelit të drogës me mbrojtje qeveritare.
"Droga ka mbjellë pasiguri, ka mbjellë fatkeqësi, ka hapur plagë, ka hapur varre. Shqiptarët sot janë më të përbashkuar se kurrë nga ky hall i madh, nga kjo brengë e madhe por dhe nga një vendosmëri e madhe për t'i qendruar dhe për t'i bërë ballë kësaj të keqeje dhe ne Partia Demokratike do ta udhëheqim me vendosmëri betejën kundër saj",-tha Basha.
Basha theksoi se shkatërrimi i Policisë së Shtetit përmes emërimit të personave të lidhur me narkotrafikun ka sjellë këtë situatë emergjente të trafikut të drogës e cila ka alarmuar edhe vendet e BE-së, drejt të cilave eksportohen tonelata droge. "Rama, është përgjegjës edhe për rrezikimin e marrjes së statusit të vendit kandidat dhe kjo sipas tij është dhe një arsye më shumë pse ai duhet të largohet."- deklaroi Basha në Lezhë.
"Mohim, fshehje, mashtrim, mbulim, mbrojtje dhe mbështetje ka ofruar dhe ofron Edi Rama për narkotrafikantet. Çfarë bënë sapo morën pushtetin?! Hoqën mbi 400 oficerë të përkushtuar të Policisë të cilët bënë të mundur që Shqipëria të futet në NATO dhe shqiptarët të lëvizin pa viza. Solli njerëz të larguar, jo nga ne por nga ministra socialistë, për lidhje me krimin e organizuar dhe në veçanti me narkotrafikun, goditi dinjitetin e oficerëve profesionist e i zëvëndësoi ata me lidhje të ngushta me krimin. Edi Rama është përgjegjës ndaj duhet të largohet. Ky është njeriu i cili me symbyllje dhe syshkelje kërcënon integrimin e vendit duke i hapur portat kartelit të drogës. Ky është Edi Rama dhe kjo është një arsye më shumë pse duhet të ikë"-tha Basha.
Zemërimi qytetar e ka frikësuar Edi Ramën, i cili përpëlitet nëpër konferenca shtypi,deklaroi Basha, i cili u shpreh se së bashku me qytetarët shqiptarë të largojnë Edi Ramën nga qeveria dhe narkotrafikantet nga Shqipëria.
"Më përpara kur ishte në opozite fajin për gjithçka e kishte qeveria. Tani që është në qeveri fajin për gjithçka e ka opozita. Sado që përpëliten ditë pas dite, e shikoni që po bëjnë nga katër konferenca për shtyp dhe lexojnë të njëjtën letër që ua kanë shkruajtur. I ka zënë frika. Pse I ka zënë frika ?! Sepse e dinë se përballë kanë jo vetëm PD, sepse axhenda jonë për t'u ngritur në këmbë dhe për të shporrur kartelin e drogës është axhenda e çdo shqiptari. Të premten të bashkuar si asnjëherë më parë në orën 11:00 t'i tregojmë shqiptarëve vendosmërinë tonë, të jemi të gjithë së bashku në këmbë për t'i thënë jo drogës dhe për t'i thënë përgjegjësit Edi Rama; ik largohu"