Për zgjidhjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë nevojitet angazhim dhe unitet kombëtar. Kështu u shpreh ish diplomati austriak Johanes Kirle në një konferencë ndërkombëtare të mbajtur sot në Shkup. Sipas tij ky proces nuk është i thjeshtë por është i mundur dhe se një marrëveshje mes Shkupit dhe Athinës është e domosdoshme. Ai tha se Austria propozon që problemi me emrit të zgjidhet në kuadër të negociatave për anëtarësim.
"Çështja e emrit nuk është e thjeshtë, por është e mundshme për t'u zgjidhur. Nevojitet një angazhim kombëtar. Në këtë rast është e domosdoshme një marrëveshje me Greqinë. Pajtimi nuk është çështje bilaterale, por mjeti i suksesit nënkupton diplomacinë evropiane. Austria ka marrë një pozicion të veçantë ndaj Maqedonisë; ne dëshirojmë të fillojnë negociatat për anëtarësim, madje propozojmë që çështja e emrit të mund të zgjidhet në kuadër të këtyre negociatave", deklaroi Johanes Kirle, ish sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme të Austrisë.
Nga ana tjetër Shtefan Lene tha se në kontestin Maqedoni-Greqi nuk mund të praktikohet metoda e njëjtë e ndërhyrjes ndërkombëtare, sikurse mes Serbisë dhe Kosovës, për shkak të pozitës jo të barabartë të shteteve në strukturat ndërkombëtare.
"Çështja e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë ka dallim me aktivitetet mes Serbisë dhe Kosovës. Duke pas parasysh se Greqia është vend anëtar ndërsa Maqedonia jo, atëherë kemi dimension të ri. Ne parimisht kemi solidaritet në Evropë përmes të cilit respektohemi, pra kemi respekt dhe përkrahje mes vendeve anëtare në BE, dhe kjo vlerësohet si interes vital dhe i rëndësishëm për BE-në, nëse diçka ndodh me ndonjë vend anëtar të Unionit. Sigurisht kemi mundësi, megjithatë ky dimension i kufizon mundësitë, për sa i përket qasjes së institucioneve të BE-së, në mënyrë që ato të jenë aktive në ndërmjetësimin e proceseve të tilla", tha Shtefan Lene, ish diplomat.
Për sa i përket marrëdhënieve me Bullgarinë, u theksua se nevojitet që dy vendet të fokusohen në çështjet aktuale e jo të merren me të kaluarën. Ajo është tepër e komplikuar, dhe vetëm ekspertët e fushave mund t'i zgjidhin. Nëse edhe sot fokusohemi më shumë në histori dhe jo në problemet aktuale, nënkupton se nuk kemi përgjigje për problemet aktuale, theksoi Nadezh Ragaru. Këto komente u bënë në konferencën ndërkombëtare me temë "Identiteti evropian dhe ardhmëria e Ballkanit" nën organizim të ambasadave të Francës dhe të Austrisë në Maqedoni, në bashkëpunim me Lëvizjen evropiane të Maqedonisë. Gjyltene Rexhallari