Vërshime në Serbi, dalja nga shtrati i lumit Sava rrezikon përkeqësimin

alsatmtv 2015-08-22

Views 4

Evakuime masive, dëme të pallogaritshme dhe vetëm ujë. Përmbytjet vazhdojnë të mbajnë të paralizuar Serbinë. Më i goditur është qyteti i Obrenovacit, pranë Beogradit. Autoritetet lokale janë në garë kundër kohës duke u përpjekur për të riparuar dëmtimin e një dige që mbron shtratin e lumit Sava. Nga zonat kritike të qytetit janë evakuuar më shumë se 4 000 njerëz.

"Filluam t'i nxjerrim edhek kufomat e para. Numri i viktimave nuk do të shpallet pa u tërhequr më parë uji. Edhe një lajm akoma më i keq është fakti se në mëngjes u shkatërrua diga afër lumit të Savës. Nëse ajo nuk riparohet në kohë, në Obrenovac për disa orë mund të ketë edhe katastrofë më të madhe. Nëse mendoni se nga kjo nuk ka pasur më keq, më besoni se ka", deklaroi Predrag Mariç, kreu i Departamentit për situatat emergjente.

"Na mbetën makinat, motoçikletat, shara me motor dhe të gjitha veglat e tjera. Po ashtu edhe tërë mobiliet e shtëpisë. I morëm me vete telefonat dhe dolëm nga shtëpia. Oborri dhe shtëpia me siguri tani janë nën ujë", tha Dragana Iliq- banore e Obrenovcit.

Sipas vlerësimeve, nëse lumi Sava del nga shtrati, ndërtesat në Obrenovac do të përmbyten deri në katin e tretë.

Për një natë të gjatë, po përgatitet edhe qyteti Shabac. Diga shtesë janë ngritur përreth Savës për t'i bërë ballë nivelit të ujit prej 7 metrash. Në matjen e fundit niveli i lumit ishte 6,3 m, niveli alarm për mbrojtje të jashtëzakonshme nga përmbytjet. Vala vërshuese nga Kroacia pritet gjatë natës.

"Ne bëmë gjithçka brenda mundësive tona. Tani na mbetet që të presim valën e ujit nga Kroacia dhe Bosnja, dhe të lutemi që niveli i ujit të mos tejkalojë 6,8 m. Atëherë askush nuk mund të dijë se çfarë do të ndodhë. Sa i përket Beogradit ai nuk është dhe nuk do të rrezikohet", deklaroi Aleksandar Vuçiq -- kryeministër i Serbisë.

Sipas të dhënave nga autoritetet, nga rajonet e rrezikuara deri tani janë evakuuar më shumë se 15 mijë njerëz. Pa rrymë janë 13 komuna me rreth 80 000 familje. Janë përmbytur të paktën 1600 objekte, dhe nën rrezik janë të paktën edhe 1500 tjera. Petar Bllazhevski

Share This Video


Download

  
Report form