Marrëveshja e koalicionit BDI-VMRO me shumë dallime nga premtimet parazgjedhore të BDI-së, erdhi si pasojë e zhvendosjes së pikave prioritare të platformës së partisë së Ahmetit. Kështu lideri i BDI-së shpjegoi në emisionin "Rruga Drejt..." marrëveshjen e arritur me Gruevskin. Duke folur për kryetarin e kuvendit, të cilin e premtonte BDI-ja në fushatë, Ahmeti tha se ky post nuk është më i rëndësishëm se çështja e gjuhës. Ndërsa çështja e gjuhës, sipas Ahmetit, është lënë për rrethana më të mira, pas përmbylljes së anëtarësimit në NATO.
"Unë ju bëj shpjegime, them që gjuha është pika e dytë. Pak rëndësi ka kryetari i parlamentit. Si do të fliste ai kryetar parlamenti kur nuk kemi zgjidhje për gjuhën", tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Lideri i BDI-së nuk shpjegoi se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të BDI-së, nëse Maqedonia nuk arrin të anëtarësohet në NATO në shtator, me çka do të kishte dështuar pika më prioritare e platformës së BDI-së.
"Unë nuk dua të flas as për situata hipotetike, as të paragjykoj. Ne do të punojmë në të mirë dhe në dobi, pa vënë këtu as datë, as ditë, por në të mirë të zhvillimeve dobiprurëse për shqiptarët e Maqedonisë, dhe kjo do të dëshmohet nga të gjitha veprimet që do të bëhen", deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ahmeti përjashton çfarëdo mundësie që PDSH-ja e Thaçit të përfshihet në Qeverinë e ardhshme.
"Unë mendoj që këto gjëra kanë përfunduar. Opinioni nuk duhet të jetë nën presion, unë thash qëndrimin tim, nuk mendoj se z. Thaçi bën gabim për partinë e vet. Mendoj që shqiptarët kanë nevojë për opozitë, dhe mendoj që koha tani më është që z. Thaçi të angazhohet në strukturim dhe orientim të partisë, me qëllim që të jetë pjesë kontribuues i proceseve", u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Nga ana tjetër, Ahmeti u shpreh se BDI-ja nuk do të diskutojë njohjen e legjitimitetit të Ivanovit, pasi sipas tij 90% e shqiptarëve tashmë kanë kontestuar legjitimitetin e tij. Lideri i BDI-së shpjegoi gjithashtu se aktualisht bisedimet për formimin e Qeverisë janë në fazën e harmonizimit të platformave, me qëllim që të sigurohet progres edhe në ministritë që nuk udhëhiqen nga kuadro shqiptarë. Benjamin Arifi