Dy familje nga Tetova kanë mbetur pa kulm mi kokë, pasi mbrëmë vonë zjarri kaploi objektet e banimit në deponinë e mbeturinave në Tetovë. Shkaktar i zjarrit është qiriu me çka kanë ndriçuar dhomat e banimit dy familjet. Për fat të mirë, askush nuk është lënduar, edhe pse në momentin që objekti ishte përfshirë nga zjarri,brenda kanë qenë 8 fëmijët e këtyre familjeve.
"Ishim duke fjetur krejt andej veç kur e kemi pa zjarrin dhe kemi dalë shpejt e shpejtë jashtë na ka zanë përnjëherë zjarri u kall krejt, zjarrfikësit kanë ardhur në kohë erdhën pesë zjarrfikës sa mundën shpëtuan tjerat janë djeg krejt brenda. Zjarri është ndezur nga qiriu me të cilin ndriçojmë, jo që është bë me qëllim po ajo u ndez dhe s`mundeshim ta ndalim më. tash kemi mbet jashtë s`kemi ku shkojmë shoqen e kam nëpër spitale", tha Basri Kurtishi - pronar.
Zjarrfikësit kanë ardhur në kohë, por meqë objektet e banimit kanë qene përplot tekstil, zjarri ishte përhapur me shpejtësi të madhe.
'Nga ana jonë janë marrë të gjitha masat që sa më shpejtë të dalim në vendin e ngjarjes duke pasur parasysh se mundë të përhapet dhe të merr përmasa edhe më të mëdha, kemi dalë në vend ngjarje me tre automjete dhe gjashtë zjarrfikës me çka intervenuam dhe me sukses kemi bërë likuidimin e tërësishëm të këtij zjarri', u shpreh Uka Aliti - kryeshef i Njësisë kundër Zjarrit në Tetovë.
Kryefamiljari Basri Kurtishi kërkon ndihmë nga Komuna e Tetovës, nga qendra sociale dhe nga persona tjerë të cilët dëshirojnë të ndihmojnë këto dy familje që kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Bashkim Sulejmani