Tiranë-Selia rozë ka reaguar pas deklarateve të kreut të PD, Lulzim Basha. Deputeti socialist, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat tha se Partia Demokratike kërkon dorëheqje të Kryeministrit sa herë autoritetet godasin krimin. Sipas tij demokratët po e përdorin politikisht rastin e Divjakës, çështje që sipas Ballës është në hetim dhe opozita duhet të presë rezultatetet e këtij hetimi.
Deklarata e plotë:
Kërkojnë dorëheqje sa herë autoritetet godasin krimin. Vetëm PD mund të nxjerrë konluzione të shpifta për një ngjarje që është ende në hetim. Nuk duan të presin hetimin e plotë, sepse nuk ju intereson por duan ta përdorin këtë rast politikisht. Në fillim nxorën Sali Berishën që tha se avioni ra nga mbingarkesa e drogës, por hetimet e deritanishme dhe dëshmitarët tregojnë se avioni ishte bosh.
Pastaj thanë se avioni ra mbi çatitë e disa fshatarve por videot e dëshmitarëve treguan të kundërtën. Thanë se piloti dhe persona të tjerë nxorën drogë nga avioni, por çantat për të cilat flasim sot ndodhen në Prokurori dhe sipas policisë nuk përmbanin asgjë përveç teshave të pilotit.
Filozofia e kësaj partie është shpif-shpif se diçka do të mbetet në fund. Por në këtë rast faktet janë shumë të qarta, policia është në krye të detyrës, po bën detyrëne vet siç i takon një shteti demokratik. Piloti është në duart e drejtësisë, sasia e marijuanës që u tentua të trafikohej është kapur, trafikuesi po ashtu, ngjarja po hetohet terësisht , të dyshuarit janë të gjithë në duart e drejtësisë.
Të presim të gjithë pra hetimin e plotë të kësaj ngjarje, policia e shtetit e bëri më së miri detyrën e vet sepse prej shtatorit 2013 policia e shtetit shqiptar është ringritur dhe po funksionon më së miri. Sot ndryshe nga koha e ikur e Saliut shteti është i gjithi në këmbë, në krye të detyrës, në shërbim të qytetarëve shqiptarë.