Tiranë- Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot në Kuvend, Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Kryetari i Kuvendit vlerësoi z. Haradinaj për rolin që ka luajtur gjatë ushtrimit të detyrës si Kryeministër i Kosovës dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Meta tha se biseda me z.Haradinaj u përqendrua për një të ardhme më të mirë për Kosovën, Shqipërinë dhe për rajonin tonë. Kryetari i Kuvendit theksoi se zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në 8 qershor në Kosovë, janë një mundësi e shkëlqyer për të demostruar bindshëm progresin që Kosova ka shënuar gjer tani, por në mënyrë më të veçantë, progresin që e pret për të ardhmen përmes zgjedhjeve të standardeve europiane.
"Ishte kënaqësi e veçantë që të takoja sot kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z.Ramush Haradinaj, ish-Kryeministër i Kosovës dhe komandant legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por e gjithë biseda jonë ka qenë e përqendruar te e ardhmja, tek një e ardhme më e mirë për Kosovën, për Kosovën dhe për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin tonë. Prandaj edhe zgjedhjet e ardhshme tashmë të konfirmuara të 8 qershorit në Kosovë, i shoh si një mundësi të shkëlqyer për të demostruar bindshëm progresin që Kosova ka shënuar gjer tani, por në mënyrë më të veçantë dhe më kuptimplotë, progresin që e pret për të ardhmen përmes zgjedhjeve të standardeve evropiane për të cilat edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e angazhuar dhe për të realizuar një vizion i cili i duhet Kosovës, i cili i duhet Shqipërisë dhe i duhet rajonit tonë për të forcuar paqen dhe për të rritur prosperitetin e qytetarëve tanë", tha Meta.
Kryetari i Kuvendit uroi të gjithë qytetarët e Kosovës që të kenë zgjedhje shembullore, ndërsa shtoi se zgjedhjet do të jenë baza e sigurt për një të ardhme të shkëlqyer për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe një nxitje e fuqishme për një bashkëpunim më të suksesshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës.
"Edhe unë e falënderoj kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Uroj suksese në zgjedhje Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por mbi të gjitha të gjithë qytetarëve të Kosovës që të kemi zgjedhje shembullore të cilat do të jenë baza e sigurt për një të ardhme të shkëlqyer për të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe një nxitje e fuqishme për një bashkëpunim më të suksesshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, por mbitë gjitha do të theksoja për një bashkëpunim më të suksesshëm rajonal", tha Meta.
Duke e vlerësuar një takim të çmuar, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, falënderoi Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.
"Faleminderit z. Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë dhe Kryetar i LSI-së po ashtu. Sa herë që vij në Tiranë edhe ju takoj, e vërtetë është që mësoj diçka, kuptoj më shumë për dinamikat tona ndërshqiptare. Edhe sot ishte një takim i çmuar. U bisedua ashtu siç e shpjeguat për gjëratqë na presin në të ardhmen. Unë prej natyrës jam optimist dhe ju faleminderit për kujdesin...