LSDM-ja opozitare sot paraqiti kallëzim penale kundër ministres së Punëve të Brendshme në largim, Gordana Jankullovska. Ky kallëzim është paraqitur për shkak se sipas kësaj partie, ka konstatime serioze se Jankullovska nga posti i sekretarit të VMRO- DPMNE-së dhe ministre e Brendshme në vitin 2006 bëri shpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas kësaj partie ka dyshime serioze të bazuara se ajo ka marr para të gatshme prej 80 mijë eurosh ose dy donacione për VMRO-DPMNE, prej 30 dhe 50 mijë euro, që në mënyrë të paligjshme përfunduan personalisht tek Jankullovska.
"LSDM kërkon nga prokurori i përgjithshëm, Marko Zvërlevski, që të fillojë hetimin për skandalin, në të cilin është përfshirë zyrtari i qeverisë. Jankullovska është 8 vjet në postin e ministres së Brendshme. Përkujtojmë se Gordana Jankullovska në këtë moment vetëm teknikisht e ushtron postin e ministres së Punëve të Brendshme. Ekziston frika e arsyeshme se Jankullovska mund ta braktisë Republikën e Maqedonisë. Prandaj, kërkojmë që prokurori publik të propozojë masa për sigurimin e këtij personi, në pajtim me ligjin për procedurë penale", deklaroi Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së. Alsat-M