TIRANE- Urdhri i Mjekut ka fajësuar mënyrën e funksionimit të urgjencës për vdekjen e foshnjës në QSUT dhe vonesën e ndihmës për 60-vjeçarin që ndërroi jetë në ambientet e gjykatës së Korçës. Dine Abazaj, president i Urdhrit të Mjekut të Shqipërisë, shprehet se nga verifikimet që kanë bërë në ORL, mjekët nuk kanë pasur të disponueshëm një aparat diagnostikues, që do të kishte konstatuar se fëmija kishte një trup të huaj të ngecur në rrugët e frymëmarrjes.
Sipas tij kjo situatë zgjidhet vetëm nëse urgjenca fillon e funksionon si një qark i mbyllur dhe pacientët të mos dërgohen sa në një shërbim në tjetrin.
Kreu i Urdhrit të Mjekut shpjegon se kanë bërë një raport monitorimi për situatën e urgjencave në të gjithë vendin, që i është dërguar edhe Ministrisë së Shëndetësisë. ku rezulton se në shumë raste urgjence, ata nuk kanë as mjetet më të domosdoshme jetëshpëtuese.