Opozita, deri në momentin e fundit ishte konstruktive dhe shumë herë i dha mundësi sistemit në shtet që të funksiononte në kushte normale, korrekte dhe demokratike, por pushteti nuk hoqi dorë nga vjedhja sistematike dhe sundimi jodemokratik, madje për këtë ka dëshmi serioze që nuk mund të lihen në heshtje. Kështu ka deklaruar lideri i LSDM-së Zoran Zaev, në një intervistë në studion e ALSAT M.
"Opozita jep shans derisa jepet shansi. Tashmë jemi alibi për këtë pushtet. Kjo është e papranueshme dhe ne kemi detyrim si opozitë, ashtu siç ka edhe pushteti, të themi "stop" për këtë rënie në këtë humnerë në të cilën po hynë Maqedonia, vrimë e zezë në Ballkan. Dhe duhet të reagojmë. Këtë reflektim dhe reagim e shihni edhe nga deklaratat e OSBE/ODIHR-it, deklaratat e BE-së dhe SHBA-së, të përfaqësuesve ndërkombëtarë në vend. ...Aktivitetet kriminale janë shpallur tashmë, duke përfshirë edhe krimin e Nikolla Gruevskit, dhe ato janë vetëm një tjetër konfirmim për sundimin e të drejtës në vend".
Të dielën, në Kongresin e LSDM-së, Zaev pritet që t'i shprehet besimi udhëheqjes nga shumica dërrmuese e delegatëve. Megjithatë, Zaev thekson se LSDM-ja është një parti demokratike e cila do të ketë një debat me mendime të ndryshme, jo sikurse VMRO DPMNE-ja. Mirëpo, ai i bënë thirrje edhe ish liderit të LSDM-së, Branko Cërvenkovski, që të prononcohet për deklaratat e personave që kërkojnë mosbesimin e Zaevit dhe madje në emër të Cërvenkovskit. Intervista është dhënë para deklarimit të Branko Cërvenkovskit për radion Dojçe Vele.
"Kryetari Cërvenkovski gjithmonë ia ka dashur të mirën kësaj partie. Dikur, kur merreshin vendime, dhe që në disa raste u tregua se ato nuk ishin aq të mira, gjithmonë kjo ishte për të mirën e partisë. Unë jam i bindur për këtë. Dhe e di që edhe tani mendon për të mirën e partisë. Nuk mund të them nëse është i përfshirë në këtë ose jo, por përkundrazi, dikush e përdor emrin e tij. Pres që ai të reagojë këto ditë dhe t'i thotë qëndrimet e tij, nëse mendon se duhet t'i shprehë, që të mos ketë paqartësi", tha Zoran Zaev, lider i LSDM-së.
Zaev thekson se asnjë kryeministër dhe president nuk kanë dërguar urime për fitoren e dyshuar të VMRO DPMNE-së për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Ne nuk heqim dorë nga kërkesa për formimin e qeverisë teknike e cila do të organizojë zgjedhje korrekte, të lira dhe demokratike. Natasha Stojanovska