Sjellja e partive shqiptare i mundëson VMRO DPMNE-së dhe Nikolla Gruevskit, reagime si ai i djeshme, ku gjoja mundohej të shpjegonte se nuk ka politikanë shqiptarë, shërbëtorë të tij. Analistët e cilësojnë cinik reagimin e djeshëm. Për Jove Kekenovskin, është normale që VMRO-ja të shfrytëzojë në maksimum kacafytjet në kampin shqiptar, për të bërë sa më pak lëshime para kërkesave të shqiptarëve. Ndërsa për nxirjen e imazhit të Gruevskit para shqiptarëve, për çka ankohet VMRO-ja, Kekenovski thotë se në masë të madhe, faji është në politikat e kësaj partie.
"Do të nisem prej një fjale të urtë: aq sa mundet njeriu vetvetes t'ia nxijë fytyrën, nuk mundet askush. Këtu kemi një problem tjetër politik, problem që rrjedh nga partitë politike shqiptare, të cilët në tentim për të qenë pjesë e qeverisë përpiqen ti afrohen sa më shumë Gruevskit. Nga ana tjetër, në demokraci është normale që mandatari të këmbëngul që të ketë pushtet ekzekutiv sa më të madh dhe të bëjë sa më pak lëshime kundrejt partnerëve potencial të koalicionit", deklaroi Jove Kekenovski, profesor.
Analisti Ibrahim Mehmeti nga ana tjetër, vlerëson se në gjithë këtë situatë partitë shqiptare duhet të ruajnë dinjitetin e tyre dhe të votuesve që i kanë votuar ato.
"VMRO-ja, me qëndrimet e saj, me strategjinë e saj ndaj partnerëve të mundshëm shqiptarë ka krijuar rrethana të tilla që të zhvillohet luftë politike e cila ndoshta më shumë iu pengon shqiptarëve se sa VMRO-së. Më tepër i cenon dhe dëmton interesat e vetë shqiptarëve. Në fakt problemi qëndron te partitë shqiptare të cilat nuk arrijnë të gjejnë një mënyrë të komunikimit me të cilën do ta ruanin dinjitetin e tyre dhe ndoshta do ta efektuonin votën shqiptare në nivelin më të lartë se sa është tani", tha Ibrahim Mehmeti, analist.
Në reagimin e djeshëm, VMRO DPMNE-ja theksonte se "askush nuk i është përulur Gruevskit dhe askush nuk është kalë troje. Askush nuk është shërbëtori i tij, e askush nuk punon kundër shqiptarëve në Maqedoni". Ndërsa koketimet herë me njërën parti shqiptare e herë me tjetrën, duke shpërfillur vullnetin politik të shprehur në zgjedhje, VMRO-ja i quante "aktivitet normal politik pas zgjedhjeve". Ndërkohë vazhdojnë nën hije negociatat mes VMRO-së dhe BDI-së për formimin e Qeverisë së re. Detajet e bisedimeve ende mbahen të fshehta, por procesi i bisedimeve vlerësohet si i mundimshëm dhe i vështirë për të dyja palët. Benjamin Arifi