Shpërfillja e legjitimitetit, tentim për uljen e kërkesave shqiptare

alsatmtv 2015-08-22

Views 3

Kërcënimet e VMRO DPMNE-së se mund të shpërfillë vullnetin e votuesve shqiptarë dhe të gjejë parti të përshtatshme si partnere qeveritare, i shtojnë një tjetër dimension krizave në të cilat tashmë gjendet Maqedonia. Sipas analistit Alajdin Demiri, pavarësisht a do të realizohet ky skenar, vetë debati i tillë është krizë më vete, sidomos kur dihet se një shkëndijë e vogël mund të shkaktojë zjarr të madh në një vend si Maqedonia. Kjo, sipas Demirit do të ishte e tepërt, pas një sërë krizash të natyrave të tjera me të cilat përballet Maqedonia.

"Kurrkush nuk kërkon prej Maqedonisë të zhbëhet, por kërkon të zgjidhet një kontekst që është real, a të cilin sipas meje dhe sipas të gjithë analistëve dhe të gjitha qendrave të vendosjes e krijon Maqedonia, pikërisht ky Gruevski dhe punëtorët e tij të tipit të Ivanovit. Kriza e dytë është ekonomike, ata nuk shpallën krizë ekonomike, dhe fitohet përshtypje se në Maqedoni, çdo gjë është mirë", deklaroi Alajdin Demiri, analist.

Naser Zyberi nga ana tjetër vlerëson se e gjithë kjo zhurmë ka një qëllim të vetëm, të zhvlerësojë platformën e BDI-së dhe t'u pranohen sa më pak kërkesa që kanë të bëjnë me shqiptarët. Këtë qëllim, sipas Zyberit, po e ndihmon edhe PDSH-ja.

"Tendenca që të eliminohet pjesëmarrja eventuale në Qeverinë e re, e partisë politike me legjitimitet të votës te popullit shqiptar, nuk paraqet asgjë tjetër veçse krijim të terrenit për gjetjen e shqiptarëve të ndershëm, të përdorshëm, që mund të jenë edhe të shantazhuar, të cilët nuk do të paraqesin kurrfarë problem", u shpreh Naser Zyberi, analist.

Edhe profesori Imer Ismaili konteston rolin e PDSH-së në gjithë këtë situatë, duke tërhequr madje paralele mes kryetarit të saj Menduh Thaçi dhe Rrahman Morinës në kohën e ish Jugosllavisë. Ndërsa për vijat e kuqe nga të cilat nuk duhet të heq dorë BDI-ja, publicisti Emin Azemi përveç çështjeve politike numëroi edhe disa poste që duhet të kërkohen me ngulm.

"Ka ardhur koha që shqiptarët edhe në këto bisedime seriozisht të mendojnë për dy-tre poste kryesore, pra Ministri i Jashtëm, i Brendshëm, Kryetar Kuvendi, Drejtori i Bankës Qendrore, ndonjë udhëheqës i shërbimeve sekrete, e kështu me radhë", tha Emin Azemi, publicist.

Nga ana tjetër analisti nga Kosova Naim Rashiti vlerëson se Maqedonia si shtet, e sidomos partitë, duhej të inkurajohen nga guximi i liderëve kosovarë dhe atyre serb, që nuk heqin dorë nga kërkesat dhe bisedimet.

"Shumë pak reflekton kjo çështje në kontekstin e Maqedonisë dhe ka pak vullnet për të marrë këto praktika. Më brengos fakti se sa pak ka vullnet dhe energji, sa hezitim ka që t'i prekin ndryshimet kushtetuese ligjore për të ardhmen e vendit", deklaroi Naim Rashiti, analist.

Debati për legjitimitetin u organizua nga Instituti për Hulumtimin e Politikave dhe Qeverisje të Mirë, ndërsa kishte si shkak paralajmërimet e VMRO-së se mund të anashkalojë edhe partinë fituese shqiptare, nëse nuk heq dorë nga kërkesat. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form