Pas përmbylljes së afateve ligjore të ankimimeve, KSHZ-ja vërtetoi sot rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet presidenciale. Sipas KSHZ-së, në bazë të rezultateve përfundimtare nga 9 listat zgjedhore në zgjedhjet parlamentare, koalicioni VMRO-DPMNE mori 61 mandate, LSDM 34 mandate dhe Opsioni Qytetar për Maqedoninë 1 mandat. Ndërkaq nga blloku politik shqiptar, BDI mori 19 mandate, PDSH 7 dhe RDK 1 mandat. Sipas rezultateve nga zgjedhjet presidenciale, kandidati nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit "Për Maqedoni më të mirë", Gjorge Ivanov fitoni mandatin e dytë presidencial. Ivanovit, më 2 maj, mori certifikatën për president, nga KSHZ-ja. Ndërkohë, kryetari i KSHZ-së Nikolla Rilkovski, i pyetur nga gazetarët për hapat e mëtejshëm të KSHZ-së pas dorëzimit të 34 mandateve nga ana e LSDM-së u shpreh se iniciativa e tillë ende nuk ka mbërritur.
"Ne nuk kemi asgjë zyrtare, se dikush do t'i kthej mandatet.... Mirë, paralajmërimet janë paralajmërime dhe sigurisht se janë serioze. Mirëpo, ne si KSHZ deri tani nuk kemi pranuar asgjë zyrtare lidhur me këtë çështje", tha Nikolla Rilkovski, Kryetarë i KSHZ-së.
Nga KSHZ-ja komentuan se kanë ngritur padi penale ndaj PDSH-së dhe Opsionit Qytetar për Maqedoninë, për shkeljen e kodit zgjedhor. Kryetari Rilkovski, njoftoi se nesër do të dorëzohen certifikatat për deputetët e ardhshëm të Parlamentit të Maqedonisë. Adrian Kerimi