Fier-1400 ha tokë në qarkun e Fierit rrezikojnë të transformohet në moçale.Mungesa e kullimit ka bërë që tokat bujqësore në Komunën e Cakranit të mbulohen nga uji.
Kanalet ekzistuese janë të bllokuar dhe ndërhyrja është bërë mjaft emergjente për fermerët e kësaj Komune. Kreu i Komunës, Vladimir Korçari, tregon se situata është e tillë prej shume vitesh në këtë zonë.
"Komuna Cakran ka tokë arë në fushë gati 1400 hektarë, po bëhet sot e 30 vjet që nuk janë bërë investime për sistemimin e kullimit të kësaj toke. Të gjithë kanalet ekzistuese që kanë qenë që në kohën e sistemit tjetër janë mbushur dhe toka pothuajse e gjitha është kthyer në moçal. Janë dy kolektorë të mëdhenj, një që përshkon nga Cakrani dhe derdhet në Selishtë ose lumin Vjosë, ai ka pasur një investim para dy vjetësh. Dhe një investim tjetër në fshatin Varribob që është një kolektor B8, ai është pastruar. Por e gjithë toka prej 1400 hektarësh nuk ka asnjë lloj investimi dhe është emergjente që të investohet për sistemimin e kullimit të këtyre tokave që janë kthyer në moçal. Nuk kemi dërguar për të qenë trasnparent, por tani mendojmë se përmes Bordit të kullimit do tu bëjmë shkresat dhe do të kërkojmë investime për kullimin e kësaj sipërfaqe toke" thotë kreu i Komunës.
Kryetari i Komunës shpjegon se fermerët po i braktisin tokat, pasi nuk mbjellin dot asgjë për shkak të mosfunksionimit të sistemit të kullimit, por edhe të vaditjes.