Vjedhjet e banesave vazhdojnë të mbeten prezente në Komunën e Dropullit të sipërm në Gjirokastër. Mungesa e efektivëve të policisë së rendit dhe vendosja në dispozicion të ruajtes së tij me vetëm një punonjës të uniformave blu, duket se është edhe një nga shkaqet kryesore të kësaj situate.
Komuna e Dropullit të sipërm përbëhet nga 18 fshatra banorët e të cilëve prej kohësh po vidhen sistematikisht. Kristo Duci, kryetar i kësaj komune ka kërkuar ngritjen e një poste policie për të ndryshuar këtë situatë vërtetë alarmante, e cila jo në pak raste ka shënuar edhe dhunë fizike e madje deri në humbje jete të banorëve të zonës.
Gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, janë shënuar një numër i lartë i vjedhjeve në komunën e Dropullit të Sipërm. Mbi situatën e krijuar nuk ka munguar as reagimi i deputetit Vangjel Tavo, i cili ka kërkuar nga strukturat e policisë hetim dhe vendosjen para përgjegjësisë të autorëve të tyre.
Në mbledhjen e rradhës Këshilli i Komunës kishte ftuar edhe përfaqësues të Drejtorisë së policisë së qarkut Gjirokastër, por mbledhja është anulluar për shkak të mungesës së tyre.