Nuk ka të ndalur debati brenda PDSH-së mbi temën "Patriotët dhe tradhtarët". Gjatë ditës së djeshme në profilin e tij në Facebook, kreu i komunës së Strugës, Ziadin Sela iu kundërpërgjigj të gjithë atyre që e quajtën tradhtar. Por pas kësaj kundërpërgjigje, kanë vazhduar reagime të tjera, sikurse ai i bashkëpartiakut të tij Orhan Ibrahimi, i cili e akuzonte Selën se e përdori ndikimin e tij për të penguar votuesit e PDSH-së të votojnë lirshëm.
"Ziadin, nuk mbrohen shokët duke i shpallur lufte atyre. Ti e di se njëra formë e shantazhit është edhe marrja e të drejtës për të votuar. Këtë formë e përdori BDI-ja duke iu grumbulluar dokumentet personale votuesve që ishin potencial për të votuar PDSH-në. E ti, Ziadin e përdore atë pushtet të vogël për t'i kërcënuar njerëzit, njësoj si BDI-ja, për t'i penguar qytetarët që të votojnë në Strugë. Të sugjeroj, të largohesh, ta dorëzosh postin kryetar i Strugës, funksion që ke marrë nën emblemën e PDSH-së. E pastaj munde të formosh subjekt politik, me platformë e program që do t'i ofrosh elektoratit" , shkruante në profilin e tij në Facebook, Orhan Ibrahimi.
Ndërkohë, pas insinuimeve për tradhti nga kreu i PDSH-së, gjatë ditës së djeshme Ziadin Sela shkruante gjithashtu në Facebook se tradhtarë janë ata që thurin strategji në "Sushiko", dhe që nuk e kanë problem të koketojnë, para-gjatë-dhe pas-zgjedhjeve me njerëz që nuk ia duan të mirën shqiptarëve dhe PDSH-së.
"Nëse është tradhti të mos votosh asnjë kandidat tjetër përveç atij shqiptar atëherë cili është akti juaj si lider partie, që pa pyetur askënd, asnjë organ legjitim partiak, votuat për atë që nga 2009 deri më 2014. Organet partiake të PDSH-së, votuesit e saj, juve dhe unë kurrë nuk e kemi pranuar si president? Si do i drejtoheni tani? I nderuar President i imi z. Ivanov! Çfarë ndryshoi?". Tradhti më e madhe është të përkrahësh pa asnjë kusht qeverisjen e VMRO DPMNE-së, të thuash se do jesh pjesë e qeverisë dhe se do bëhesh ministër apo ministër pa portofol, dhe të mos e përmendësh askund Marrëveshjen e Re politike, parlamentin dydhomësh, gjuhën shqipe zyrtare në të gjithë shtetin, ndarjen e drejtë dhe proporcionale të buxhetit etj", u shpreh ditë më parë ën profilin e tij në Facebook Ziadin Sela.
Në post skript, Sela theksonte se nuk kishte dashur të zbrazte vrerin e tij gjatë zgjedhjeve, për të mos ndikuar në rezultatin e PDSH-së. Kjo betejë me statuse në Facebook u nxit sërish një ditë më parë, kur kreu i PDSH-së Thaçi, tha se nuk do të japë dorëheqjen nga posti, aq më tepër nëse atë e kërkojnë tradhtarët e PDSH-së.
"Nuk jap dorëheqje, nëse këtë dorëheqje e kërkojnë tradhtarët e PDSH-së dhe armiqtë e PDSH-së. Normalisht unë iu nënshtrohem organeve të partisë dhe kjo do të jetë krejt e hapur. Seriozisht është biseduar për këtë çështje dhe unë nuk preferoj dramatizim të situatës. Ne kemi kongresin për 10 muaj, kongresin e rregullt, dhe në kuadër të një procedure të rregullt do t'i zgjidhim të gjitha çështjet që kemi brenda partisë", deklaro...