Emri, Nimic fton palët më 6 maj

alsatmtv 2015-08-22

Views 0

Ndërmjetësi i OKB-së për kontestin e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë Methju Nimic, ka caktuar raund të ri bisedimesh mes palëve më 6 maj në Nju Jork. Siç njoftojnë nga OKB-ja, dy negociatorët Zoran Jolevski dhe Adamantios Vasilakis pozitivisht i janë përgjigjur ftesës. Ndërmjetësi Nimic fillimisht do të takojë ndaras negociatorët ndërsa më pas do të realizojë takim të përbashkët. Takimi në Nju Jork do të mbahet në prag të zgjedhjeve evropiane dhe lokale në Greqi. Pas këtyre takimeve dhe pas përfundimit të zgjedhjeve, Nimic pritet të vizitojë Shkupin dhe Athinën. Herën e fundit, Nimic me negociatorët ishte takuar në mars të këtij viti në Nju Jork. Por ky takim kishte rezultuar i dështuar. Nimic në takimin e fundit nuk kishte vënë në tryezë propozim të ri, por ishin shqyrtuar idetë e tij të vjetra për të cilat palët nuk ishin shprehur të gatshme që t'i pranojnë si zgjidhje finale.

Nga ana tjetër sekretari amerikan i mbrojtjes Çak Hejgell bëri thirrje Maqedonisë dhe Greqisë që të punojnë për gjetjen e interesit të përbashkët me qëllim që të mundësohet zgjerimi i NATO-s. I pyetur se a do të mbështesë SHBA-ja zgjerimin e NATO-s drejt Ballkanit, pas krizës në Ukrainë Hejgell u përgjigj:

'Siç e dini, kjo është pjesë e botës e cila punon në dallime të vështira historike. Mendoj se është arritur përparim në këto vende derisa në mënyrë të qetë i tejkalojnë dallimet. Nuk është gjithçka e përkryer, ende ka sfida, në përparimin e mëtejshëm në ndërtimin e institucioneve funksionale, të lira, respektim të të gjithë njerëzve, pa dallim të religjionit të tyre ose përkatësisë etnike. Mendoj se shumë përparim është arritur. Kemi dallime, por asnjëherë nuk do të mundemi qetë t'i tejkalojmë dallimet pa ndërtuar institucione dhe platforma të interesit të ndërsjellë', tha Çak Hejgell -- sekretar amerikan i mbrojtjes.

Hejgell shtoi më tej se dyert e NATO-s mbeten të hapura për pranim të anëtareve të reja, duke shtuar se pa zgjerimin e NATO-s drejt Lindjes, kriza e sotme në Ukrainë do të jetë larg më e rrezikshme për Evropën. Edhe ish-diplomatë udhëheqësi gjerman dhe rus, Volfgang Ishinger dhe Andrej Kozirev, të cilët folën për zgjerimin e NATO-s pas Hejgelit, vlerësuan se kjo politikë ka qenë e domosdoshme pas rënies të komunizmit, dhe thirrjet e vendeve të Evropës Lindore të pranohen nën ombrellën perëndimore të sigurt. Alsat-M

Share This Video


Download

  
Report form