Në 1 maj ministri Erjon Veliaj do i drejtohej me këto fjalë Zyra Lekës,
"Veliaj: Kinge, dëgjo ta shpjegoj unë?
Gruaja: Nuk është puna për kinge, se unë jam sa nëna jote"
Kjo thirrje nuk i ka pëlqyer aspak 58-vjeçares Zyra Kola, e cila u vu në qendër të vëmendjes së opinionit publik, ditën e 1 majit, kur kundërshtimin për largimin e saj nga puna në administratë, ia shprehu drejtëpërdrejt kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Mirëqënies Sociale Erjon Veliaj.
"Ofendimi im më i madh që më është bërë, jam 58 vjeçe, ka qënë pyetja e ministrit, Erjon Veliaj. Më pyet e më thotë, "Kinge çfarë halli ke?". Unë jam në një moshë 58 vjeçe, unë jam nëna e atija. Sa ai unë kam djalin. Dhe kur më tha dhe 1 mijë euro në punë, që paska punë aty me 1 mijë euro, domethënë si me talljen, që më tha "Çfarë ke, çfarë halli ke?", edhe kjo ishte një tallje me mua, për 1 mijë euro."
Kola pranon se deri në vitin 2001 ka qenë pjesë e strukturave të demokratëve, por prej 13 vitesh nuk është më pjesë aktive e kësaj force politike, duke rrëzuar çdo aludim se reagimi i saj ka qenë i inskenuar nga godina e demokratëve.
"Në protestë dola me vendimin tim individual, duke marrë mbi supe edhe të gjithë të shkarkuarit e punës sime, sepse në drejtorinë tonë, është bërë një reprezalje e paparë. Janë shkarkuar mbi 140 veta, nga 203 që ka ajo drejtori."
Në muajin mars të këtij viti, Zyra Kola u largua nga detyra e saj si specialiste në rregjistrimin e mjeteve pranë Ministrisë së Transporteve edhe pse ajo pretendon se ka të gjitha kualifikimet për të mbajtur këdë detyrë, por arsyeja e vetme që u shkarkuan ishin bindjet politike.