Shirat e rëna gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar edhe më shumë dëme në rrugën e fshatit Frakth, të Komunës Komsi, në rrethin e Matit. Shembja e dherave për gjatë gjithë rrugës që lidh këtë fshat me qendrën e komunës Komsi, ka bërë që banorët t'i transportojnë mallrat me kafshë dhe me shpinë.
Edhe ata pak drejtues mjetesh të cilët lëvizin në këtë rrugë, mund të quhen me të drejtë guximtar, pasi rrëshqitja e dherave ka ngushtuar ndjeshëm rrugën. Banorët shprehen se ndjehen të braktisur nga pushteti vendor dhe se rruga është kthyer në një makth të vërtetë.
Por ky duket se nuk i është i vetmi problem për këta banorë, pasi siç tregojne ata uji i pijshëm, por edhe ai vaditës, mungojnë prej vitesh.
Përballë një situate të tillë ky komunitet kërkon ndërhyrjen e organeve kompetente për zgjidhjen e problemeve me të cilat ata përballen çdo ditë.