MOSKE - Ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, në një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan Chuck Hagel, i ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me rritjen e paprecedentë të aktivitetit ushtarak të SHBA dhe NATO-s pranë kufirit me Rusinë, në një kohë që kriza në Ukrainë po vjen në rritje.
Ai theksoi se ky aktivitet është shoqëruar edhe me deklarata "provokuese" mbi nevojën për të frenuar Rusinë. Gjithashtu ministri Shoigu njoftoi homologun e tij amerikan se trupat ruse ishin kthyer në pozicionet e tyre të përhershme, por nuk tha nëse numri i përgjithshëm i trupave ruse të vendosura në rajon ishte reduktuar.
Nga ana tjetër Departamenti amerikan i Mbrojtjes deklaroi se Ministri rus Shoigu kishte dhënë garanci se Moska nuk ka në plan të pushtojë Ukrainën. SHBA kanë vendosur trupa shtesë në Europën lindore për të garantuar aleatët e NATO-s dhe i kanë vënë Rusisë sanksione të reja si përgjigje ndaj veprimeve të saj në Ukrainë.