Tiranë-Deri më datën 19 maj qeveria do të ketë afat për të sjellë në komision disa variante të hartës së re të ndarjes territoriale.
Kjo u bë e ditur nga bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale, Bashkim Fino në mbledhjen e parë të këtij komisioni pasi me vendim të Kuvendit e majta ndryshoi përbërjen e tij.
Komisioni i cili nisi punën në orën 09:20 minuta dhe zgjati për gati 2 orë miratoi programin e punës që do të shoqërojë veprimtarinë e tij deri në fund të mandatit dy mujor.
"Po i lëmë kohë qeverisë dhe ministrit, që deri në 19 maj, të na sjellë variante të hartës së re të ndarjes territoriale. Pasi të kemi bërë diskutimet, e të kemi dëgjuar të gjithë aktorët, do të vendosim se cilën projekte do të miratojmë. Nga data 19 maj- 20 korrik do të ketë një diskutim me të gjithë organet e pushtetit vendor.
Do të diskutohet me kryetarët e komunave, këshillave. Më pas kjo hartë pas dy muajsh diskutimi do të vijë në Komision dhe më pas do të marrim vendimin përfundimtar për t'ia paraqitur Kuvendit."- u shpreh Fino.
Ndërsa në fillim pasi u miratua kalendari i punimeve të komisionit, Fino tha se shpresonte që kjo dakordësi të ishte edhe kur të vinte harta e re territoriale.
Objekt i punës së komisionit është përcaktim i kritereve të ndarjes së re administrativo-territoriale të vendit, hartimi dhe përcaktimi i kalendarit të zbatimit të reformës administrativo-territoriale; përgatitja e projektit për ndarjen e re administrativo-territoriale.