TIRANE - Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga nisja e punës të Komisiosinit Parlamentar për Reformën Territoriale, ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuci ka siguruar se etapa e parë e ndarjes administrative-territoriale që do të reduktojë numrin e komunave dhe bashkive, nuk prek Kushtetutën dhe se ka nuk lidhje me reformën zgjedhore për të cilën opozita prej muajsh e ka ngritur si shqetësim.
Në një intervistë për A1 Report, Çuçi shpjegon se vetëm nëse do të prekeshin qarqet atëherë do kishte nevojë për ndërhyrjet në Kushtetutë, por për këtë nevojitet konsensusi i opozitës.
Ministri i Shtetit ka shpjeguar se edhe kompetencat e krerëve vendore do të modifikohen me anë të ligjit që parashikohet të jetë gati në korrik.
Çuçi sqaron se ditën e hënë në Komisionin për Reformën do të paraqësë analizën për nevojën e kësaj reforme për të cilën kanë punuar ekspertët më të mirë vendas e të huaj.
Në zgjedhjet vendore të 2015 Shqipëria do të ketë një ndarje të re administrative territoriale. Komisioni për këtë reformë do të funksionojë vetëm me 9 anëtarët e mazhorancës pas refuzimit të opozitës për tu bërë pjesë e saj. Por përtej mos pjesmarrjes së opozitës, mazhoranca i ka lënë të hapur mundësinë opozitës për të marrë pjesë në punën për ndarjen e re territoriale.