TIRANË - Ministria e Financave ka vendosur që në vitin 2015 të paguajnë TVSH edhe disa biznese që deri më tani kanë qenë të përjashtuar. Ministri i Financave ka paraqitur sot draftin e ri që është përgatitur për taksat në vitin 2015 dhe mes bizneseve që doa paguajnë TVSH, janë edhe media, për reklamat që ata do marrin.
Veç medias, në skemën e TVSH-së parashikohet të rikthehen edhe kompanitë që furnizojnë me hekur dhe çimento për subjektet ndërtuese të hidrocentraleve, si dhe ato subjekte që do sjellin pajisje për kërkime në fushën e hidrokarbureve.
"Reklamat që do të publikohen apo do të transmetohen në media parashikohet të paguajnë edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Siç përcaktohet në projektligj, reklamat nga media e shkruar ose elektronike nuk janë të përjashtuara nga TVSH. Kjo përbënte një shqetësim për agjencitë publicitare të cilat duhet të paguanin TVSH dhe prandaj i faturonin kompanitë me një çmim automatikisht 20% më të lartë, çka shtyu bizneset të lidheshin direkt me mediat duke shmangur këtë kosto", thuhet në draf.
Ndërkohë, vetë aktiviteti i medias do të vijojë të mbetet e përjashtuar nga TVSH. "Furnizimet e shtypshkronjave, gazetave, revistave dhe librave, përveç reklamës, e kemi mbartur si të përjashtuar, por theksojmë se direktivat europiane nuk e kanë të përjashtuar", theksohet në relacionin e TVSH.
Gjithashtu "rikthehet TVSH për furnizimin e hekurit dhe çimentos ndaj subjekteve ndërtuese të hidrocentraleve, të cilat, në bazë të marrëveshjes respektive, i përdorin si lëndë të parë për ndërtimin e hidrocentraleve. Përjashtimi nga TVSH ishte një masë e ndërmarrë nga qeveria e mëparshme me qëllim nxitjen e investimeve në energjetikë dhe mbështetjen e sipërmarrësve, duke lehtësuar kostot".
"Ndërkohë edhe përjashtimi nga TVSH për furnizimet e shërbimeve të destinuara për realizimin e fazave të kërkimit dhe të zhvillimit të operacioneve hidrokarbure, të kryera nga kontraktorët ose nënkontraktorët që punojnë për realizimin e këtyre fazave, si dhe furnizimi i mallrave që bëjnë kontraktorët për njëri-tjetrin ose nënkontraktorët për kontraktorët e tyre është hequr. Të gjitha këto shërbime tashmë do të jenë pjesë e TVSH, thuhet në draftin e përgatitur nga Ministria e Financave për TVSH-në që parashikohet të hyjë në fyqi në vitin 2015.