Nga e hëna e javës së ardhshme në varrezat e Tufinës nuk do të kryhen më varrime. Kjo është lajmëruar nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo, i cili bëri me dije se është shfrytëzuar e gjithë hapësira e mundshme. Ndërsa e cilëson situatën alarmante, Bozdo i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të zhbllokojë buxhetin, pasi është bllokuar dhe fondi për shpronësimet e pronarëve të tokës që do të merret në zotërim.
Por kryetari i Këshillit Bashkiak Aldrin Dalipi përmes një konference për shtyp ka shpjeguar se do të propozohet që buxheti i Bashkisë së Tiranës të shkojë për ridiskutim.
Në Tiranë mesatarisht, në dy varrezat Sharrë dhe Tufinë kryhen rreth 7 varrime në ditë. Një muaj më parë qeveria miratoi dhe vendimin për shpronësimin e pronarëve të tokës që do të vihen në dispozicion me një sipërfaqe prej 36 mijë metrash katrorë tokë.