DURRES -- Breshëri plumbash ndaj makinës së një përgjegjësi të Ujësjellësit të Durrësit.Ngjarja është shënuar në orën 01:00 pas mesnate, ku makina tip land Rover e përgjegjësit të Ujësjellësit Durrës Bashkim Gjoni, u qëllua me 10 plumba.
Bashkim Gjoni sapo ka përfunduar punën pranë pompave të ujësjellësit në Sukth është kthyer në banesën e tij rreth mesnatës, ndërsa në momentin që ka hyrë brenda në shtëpi, persona të paidentifikuar kanë hapur zjarr ndaj makinës. Automjeti është në pronësi të ujësjellësit të Durrësit, por përdorej nga Gjoni, i cili rrëfen ngjarjen e mbrëmshme, teksa thekson se krismat e automatikut tmerruan familjen e tij. Ndër të tjera Gjoni shprehet së nuk ka patur kurrë asnjë konflikt për tu bërë pre e një sulmi të tillë.
Blutë e Durrësit kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve, ndërsa paraprakisht dyshohet se ngjarja të ketë lidhje me detyrën e Bashkim Gjonit.