Tirane- Pas një seance maratonë, Kuvendi miratoi me 73 vota pro, ngritjen e komisionit hetimor për akuzat e përdorimit të infrastrukturës ushtarake në trafikun e drogës.
Opozita nuk e votoi pasi nuk iu morën parasysh amendamentet e saj për zgjerimin e objektit të hetimit por tha se do të merrte pjesë.
Kuvendi i nisur prej orës 11:00 të paradites së sotme vazhdoi deri në mesnatë ku u hodhën në votim dhe pr/ligjet në rendin e ditës.
Projektvendim "Për krijimin e Komisionit Hetimor të Kuvendit për hetimin "Mbi implikimin e Forcave të Armatosura dhe bazave ushtarake në veprimtari kriminale -- transportin e lëndëve narkotike" u miratua me 73 vota pro, asnjë kundë asnjë abstenim. Ndërsa në Kuvend ishin të pranishëm 92 deputetë.
Në orën 22:00 të mbrëmjes së sotme debatet e ndezura të ditës vijuan për ngritjen e komisionit hetimor për përdorimin e ushtrisë në trafikun e drogës.
Ndërsa në mesnatë u hodh në votim pr/vendimi i propozuar nga PS dhe LSI për ngritjen e këtij komisioni.
Para votimit kryetari i grupit PD-së Edi Paloka tha se opozita nuk do ta votonte këtë komision pasi nuk ishin përfshirë 3 pikat e kërkuara nga opozita për zgjerimin e objektit të hetimit.
"Nuk do ta votojmë këtë komision por do të marrim pjesë" tha Paloka