BDI hodhi poshtë akuzat e kreut të PDSH-së Menduh Thaçi i cili tha se ish kryeministri Georgievski është shndërruar në zëdhënës i BDI-së. Xhevat Ademi tha se Georgievski zbardhi një fakt tragjik se në kohën kur thureshin plane të zeza për shqiptarët, preokupimi i Thaçit ka qenë 'Interprometi'.
"Lubço Georgievski dje zbardhi një fakt tragjik në kurriz të popullit shqiptar. Derisa ai në 99, negocionte me Xhinxhiçin për këmbim territoresh në kurriz të hapësirës etnike shqiptare, Menduh Thaçi pa legjitimitetin e shqiptarëve kishte prioritet "Interprometin". Po ashtu ua kujtoj shqiptarëve, shërbimin anti-kombëtarë të Thaçit në 2006/2008, pa legjitimitetin e shqiptarëve si vegël e Gruevskit barti dosjen e Hagës në Shkup", u shpreh Xhevat Ademi, BDI.
Por nga PDSH theksuan se deklaratat e Xhevat Ademit nuk do t'i devijojnë nga synimi i tyre. Akuzuan se pikërisht Xhevat Ademi dhe dosja e tij, janë arsye kryesore për gjendjen e keqe të shqiptarëve në Maqedoni.
"Kjo është dosja 13 faqe e njohur e Xhevatit për spiunim. Deklarata e Xhevatit e shpreh edhe një herë histerinë e tij, Xhevat Ademi ka qenë deputet dhe asnjëherë nuk e kemi dëgjuar, ai të mbron ndonjë ligj për interes të shqiptarëve. Xhevat Ademi përmes kësaj dosjes është një prej kryesorët bashkë me bashkëpartiakët e tij që sot e kemi Shkupi 2014, që shqiptarët rrihen dhe nëpërkëmben", tha Bekim Fazliu, PDSH.
Akuzat dhe kundërakuzat mes BDI dhe PDSH u nxitën pas deklaratës së ish-kryeministrit Lupço Georgievski i cili theksoi se "Ose VMRO-DPMNE-ja që në javën e parë do të formoj qeverinë me BDI-në, sikurse 7 vitet e fundit që po sundojnë bashkë në Maqedoni, ose do të kemi luftë në Maqedoni. Nuk ka zgjidhje tjetër të këtij problemi". Megjithatë paralajmërimet e tilla, Thaçi i ka quajtur luftënxitëse, ndërsa Georgievskin -- zëdhënës të BDI-së dhe Ahmetit. Semra Jakupi