Banorët e lagjes "Kuka" në fshatin "Plan i Bardhë", në Rrethin e Matit, prej dekadash vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Ata shprehen se premtimi i dhënë nga të gjitha pushtetet, për ndërtimin e një ujësjellësi, nuk është mbajtur asnjëherë.
Ndodhur në këto kushte, nevoja për të siguruar ujë të pijshëm, i detyron këta banorë të vihen në kërkim të burimeve. Transportimi i enëve të mbushura me ujë kryhet me çdo lloj mënyre të mundshme, ku edhe personat e moshuar bëhen pjesë e tij.
Ndërkaq, banorët shprehen se nuk kanë as ujë vaditës për tokat e tyre bujqësore, e cila sjellë edhe prishjen e prodhimit që është nga të paktat mundësi për të nxjerrë të ardhura.
Nga ana tjetër, banorët e kësaj lagjeje thonë se mënyra e vetme për të jetuar, është të mbajnë ndonjë kokë bagëti, megjithëse edhe kjo është shumë e vështirë.