TIRANË - Gazetarja, shkrimtarja dhe autorja televizive iu prezantoi sot, lexuesve shqiptarë, librin e saj më të ri: "Akustika perfekte", përkthyer tashmë nga italishtja në shqip nga shtëpia e njohur botuese "Dudaj".
Ishte Instituti Italian i Kulturës që e ftoi shkrimtaren dhe gazetaren e njohur italiane, Daria Bignardi, në një takim në Bibliotekën e tij pranë Pallatit të Kulturës për t'u njohur me lexuesin shqiptar.
Bignardi u shpreh entuziaste për këtë takim gjatë të cilit bashkëbisedoi me lexuesit. Ajo tha: "Librat lindin nga një frymëzim, nga një emocion dhe më pas shkojnë në një anë tjetër. Është një gjë e bukur të shkruash sepse shkrimi është një udhëtim."
Bignardi shprehu ndër të tjera, edhe konsideratën e saj për të njohur kulturën tonë, duke veçuar shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare me librin "Gjenerali i ushtrisë së vdekur".
"Ismail Kadare është një shkrimtarë shumë i famshëm, por e pranoj që ende nuk e kisha lexuar. E lexova këto ditë para se të vija këtu dhe kam ngelur e mahnitur, pasi romani i tij "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" ishte i mrekullueshëm. Ngela e goditur! Është njëri prej librave më të bukur që kam lexuar," - tha Bignardi.
Shkrimtarja italiane, përveç prezantimit të librit të saj në shqip, është ftuar edhe me rastin e Ditës Botërore të Librit dhe Festivalit të parë të Librit dhe Artit, aktivitete që do të zhvillohen nga data 23 deri më datë 27 prill në Tiranë.
Në takimin e organizuar me lexuesin shqiptar ajo tha se është duke përgatitur, librin e saj të katërt, i cili do të botohet në vjeshtë.
Daria Bignardi është autore e tre librave të botuar deri më tani me tituj: "Non vi lascero orfani", " Un karma pesante" dhe "L`ascolto perfetto". Ajo është gazetare e njohur në Itali, ku ka qenë autore televizive në "Reality sho"-n më të famshëm "Grande Fratello" dhe për një kohë të gjatë, por me një shkëputje 4-vjeçare në "Talk show"-n me titull "Le invasioni barbariche", filluar në vitin 2004, për ta rifilluar përsëri në 2010-ën dhe duke e vazhduar edhe në ditët e sotme.