LSDM-ja ka ngritur 3 padi penale kundër kryeministrit Nikolla Gruevski. Lideri i opozitës Zoran Zaev njoftoi se ka dorëzuar në Prokurori audio regjistrimin dhe të gjitha dokumentet që sipas tij dëshmojnë menaxhimin e shitjes së jashtëligjshme të 'Makedonska Bankës', duke pranuar 1,5 milion euro para kesh. Vetëm për njërën nga tre paditë penale, shmangien e tatimit, Kodi Penal parasheh dënim me burg prej 4 vjet.
"Gruevski ka prezantuar të dhëna të rrejshme për të hyrat e tij. Nikolla Gruevski, në kundërshtim me ligjin ka shmangur tatim ndaj shtetit, edhe pse ka qenë i obliguar të paguajë tatim. Kështu ka dëmtuar edhe shtetin, edhe qytetarët e vendit. Nga Prokuroria presim gjykim efektiv për rastin "Makedonska Banka", sidomos për shkak se ekzistojnë indikacione serioze për krim nga personi që tashmë 8 vjet është në krye të shtetit, personalisht kryeministri Nikolla Gruevski", deklaroi Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së.
Zaev publikoi një tjetër aferë siç thotë ai lidhur me lojërat e Gruevskit me kesh. 80 mijë euro para në dorë janë dorëzuar në VMRO DPMNE në emër të dy donacioneve nga i njëjti person, duke shkelur maksimumin ligjor për donacione prej 5 mijë eurove.
"Tani të pyes ty Nikolla Gruevski. A ka pranuar sekretari i përgjithshëm i partisë disa qindra mijëra euro në emër të donacioneve, me dijen tënde. A janë futur në xhirollogari mjetet e marra në kesh. Këto mjete a janë paraqitur në llogarinë finale të VMRO DPMNE-së", tha Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së.
Zaev ka kërkuar paraburgimin urgjent të Gruevskit, siç tha ai, për të siguruar mbarëvajtjen e hetimeve. Lideri i LSDM-së thirret në Ligjin për Procedurë Penale i cili parashikon që i dyshuari mund të merret në paraburgim ose paraburgim shtëpiak më qëllim që të mos ndikojë mbi dëshmitarët, ose të mos arratiset nga vendi. Benjamin Arifi