Moti i ftoftë me reshje bore dhe i pazakontë për stinën e pranverës që kaploi vendin dhe rajonin si duket sot ka marrë fund. Kështu thonë nga Enti Hidrometeorologjik në Shkup. Sinoptikanët thonë se rritja graduale e temperaturave ka nisur që nga sot, kur temperatura maksimale do të arrij deri në 20 gradë.
"Për momentin në vendin tonë po mbizotëron mot me diell, të reshurat e shiut u ndalën gjatë orëve të para të mëngjesit, temperaturat tani më ka shënuar rritje dhe sot do të sillet prej 13 deri në 20 gradë celsius, kurse në Shkup temperatura do të arrijë deri në 17 gradë. Gjatë ditës së nesërme do të ketë përsëri diell, në disa vende edhe vranësira të dobëta, d.m.th do të kemi temperatura për disa gradë më të lartë, temperaturat e mëngjesit do të jenë nga 1 deri 8 gradë, kurse gjatë ditës zhiva e termometrit do të shkojë deri në 22 gradë në pjesën jugore të vendit", tha Boris Sekrirarski -- sinoptikan.
Sinoptikanët paralajmërojnë se prej ditës së mërkurë gjatë javës së ardhshme përsëri do të paraqitet mot me reshje të shiut dhe bubullima, por që temperaturat nuk do të bien siç ndodhi gjatë dhjetë ditëve të fundit. Ndërkohë reshjet e borës të cilat në viset malore të Maqedonisë arritën deri në 30 centimetra, prej sot kanë filluar të shkrihen. Reshjet e ditëve të fundit të shiut kanë ngritur edhe nivelin e lumenjve disa prej të cilëve edhe kanë dalë nga shtretërit e tyre duke vërshuar disa hapësira por pa shkaktuar dëme të konsiderueshme. Valmir Kuçi