TIRANË- Banka Qendrore Evropiane prezantoi sot një program bashkëpunimi me Bankën e Shqipërisë dhe disa banka të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për këtë program, BE-ja ka dhënë 500 mijë euro nga fondet e Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit.
Programi synon përgatitjen e këtyre bankave qendrore për anëtarësim në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, pasi ekonomitë përkatëse të kenë përmbushur kërkesat për anëtarësim në BE.
Banka Qendrore e Shqipërisë do realizojë disa projekte me Bankën Qendrore Europiane me synim rritjen e profesionalizimit dhe të transparencës së institucionit, tha Fullani në një konferencë për mediat. "Programi i bashkëpunimit do të zbatohet me 10 partnerë rajonal",- bëri të ditur Fullani mes të cilëve është edhe Kosova dhe Maqedonia.
Banka e Shqipërisë do të marrë asistencë teknike nga projektet e bashkëpunimit me Bankës Europiane. "Programi i bashkëpunimit, marrëveshjet e binjakëzimit përafron Shqipërinë me legjislacionin Europian", tha Fullani duke shtuar se për herë të parë në projekt përfshihet edhe teknologjia e informacionit çka do të bëjë institucionin bankar më transparent.
Ndërsa, Yves Mersch, anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, e vuri theksin te rëndësia që ka stabiliteti monetar për vendet e BE-së.
Programi parashikon përgatitjen e raporteve për vlerësimin e nevojave të BSH-së, duke identifikuar progresin e mëtejshëm që duhet bërë për përmbushjen e standardeve të BE-së. Në themel të këtij programi bashkëpunimi, Raporti i parë i Ndërmjetëm u nënshkrua sot mes Yves Mersch, anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE-së dhe Guvernatorit Fullani.