DURRËS - Legalizimet në zonat arkeologjike, në bregdet, në kanale kulluese, pranë hekurudhës si dhe shkaktimi i një dëmi prej 520 mijë eurosh ndaj shtetit ka çuar në ndjekje penale, dy ish-drejtorë Andi Lila dhe Erjon Jakova dhe pesë ish-përgjegjësa sektori të ALUIZNI-t Durrës.
Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit, që pas kontrolleve ka arritur në përfundimet që ka dërguar në Prokurori. Sipas KLSH-së, 7 të denoncuarit "kanë kryer legalizime të jashtëligjshme për 202 subjekte në zonat arkeologjike, pranë vijës bregdetare, brenda brezit mbrojtës të hekurudhave, si dhe brenda ose pranë vijës së ndërtimit të strukturës së rrugës dhe kanaleve kullues, me një dëm ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit në vlerën 78,7 milionë lekë, ose 560 mijë euro".
Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka bërë të ditur se, ka audituar Agjencinë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) Durrës, për periudhën Janar 2011- Shtator 2013.
KLSH-ja ka bërë të ditur se, nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh te dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për ish-drejtorët e këtij institucioni, Andi Lila dhe Erjon Jakova, si dhe për ish-përgjegjësit e sektorëve K. S., A. L., P. I., G. D., dhe F. Ç., për konsumim të elementëve të veprës penale të "shpërdorimit të detyrës", për rastet e:
Legalizimin e 202 ndërtimeve informale, nga të cilat 22 ndërtime mbi monumentet arkeologjike, duke cënuar integritetin e Monumenteve të Kulturës (Zonat Arkeologjike "A" dhe "B" të Bashkisë Durrës), 157 ndërtime informale pranë vijës bregdetare, Studimin Urbanistik të Zonës së Plazhit Durrës (rrugët, lartësitë dhe distancat midis objekteve), 4 raste brenda brezit mbrojtës të hekurudhave, 19 raste brenda ose pranë vijës së ndërtimit të strukturës së rrugës dhe kanaleve kullues;
Shkaktimin e dëmit ekonomik në Buxhetin e Shtetit, në vlerë 72.5 milionë lekë dhe mungesës së të ardhurave për fondin e kompensimit monetar ndaj ish-pronarëve, në vlerë 6,2 milionë lekë;
- See more at: http://www.shqiptarja.com/aktualitet/2731/legalizuan-202-ndertime-ne-zona-te-ndaluara-ne-akuze-7-ish-zyrtare-210254.html#sthash.L7hnoyPS.dpuf