TIRANE- Dënohet me 25 vite burgim pedofili Ardian Prrenjasi, mbi të cilin rënduan dy akuza ajo e "marrëdhënies homoseksuale me të mitur kryer me dhunë" dhe "heqje e paligjshme e lirisë". Kërkesa për dënimin e Prrenjasit u bë nga prokurori i çështjes Ramadan Troci, ndërsa vetë i akuzuari i pranishëm në séance kërkoi mëshirë dhe ulje të dënimit.
Nga ana tjetër avokatja e tij mbrojtëse Vjollca Pustina kërkoi dënimin e Prrenjasit me 20 vite burgim dhe pasjen e të drejtës për të fituar liri me kusht.
Gjykata rrëzoi kërkesën e mbrojties duke lënë në fuqi kërkesën e organit të akuzës dhe duke dënuar Prrenjasin, të njohur dhe si pedofili Laprakës me 25 vite burgim pa të drejtën e fitimit të lirisë me kusht.
Ardian Prrenjasi u arrestua rreth 1 vit më parë, pasi dyshohej dhe si autor i rrëmbimit e më pas vrasjes së Julian Celës, por kjo akuzë nuk u provua asnjëherë ndërsa 11-vjeçari është ende person i zhdukur.
Dy akuzat për të cilën u dënua Prrenjasi janë vetëm për ish-fqinjin e tij, i cili falë ndërhyrjes së policisë së shtetit arriti të shpëtojë pasi ishte rrëmbyer e më pas dhunuar nga pedofili.