Ministria e Brendshme ka zbardh incidentin e një dite më parë në lagjen Lisiçe të Shkupit, kur gjatë një takimi me qytetarë, në mënyrë verbale ishte sulmuar dhe fyer kandidati për president nga radhët e LSDM-së Stevo Pendarovski. Ministria e Brendshme ka ngritë gjashtë padi kundërvajtjeje, që të gjithë anëtarë të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.
"Ai ishte një rast karakteristik për të cilin ne ngritëm padi adekuate kundër 6 personave duke pasur parasysh se në opinion u plasuan informacione për të cilat u tentua të vendosen në konotacion politik. Ne vlerësuam që është shumë me rëndësi që incidenti menjëherë të zbardhet, dhe një gjë e tillë u realizua. Bëhet fjalë për gjithsej 6 persona kundër të cilëve është ngritur padi kundërvajtës, anëtarë të partive të përmendura më parë", tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.
Jankullovska tha se kumtesa e djeshme për media e MPB-së lidhur me incidentin e lartpërmendur ka qenë precedent pasi qëllimisht është publikuar se cilës parti politike i takojnë pjesëmarrësit në incident pasi sipas saj rasti ishte paraqitur në polici nga një parti politike.
"Pasi ne morëm një thirrje të drejtpërdrejtë nga një parti politike e cila vlerësonte se është e dëmtuar me qëllim që të zbardhim rastin dhe opinionit ti prezantojmë gjendjen faktike në konotacion të uljes së tensioneve me qëllim që të mos shkaktohen incidente shtesë. Si kundërpërgjigje për atë parti politike ne me urgjencë e zbardhëm këtë incident, jo pse ishte kërkesë nga një parti politike por pse është obligim i yni ligjor dhe qartë bëmë me dije me qëllim parandalimit të mëtejmë të akuzave të ndërsjella ose përshkallëzimit eventual të incidenteve të ngjashme", tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.
Për incidentin në fjalë, LSDM-ja kërkoi nga MPB-ja me urgjencë të zbardh rastin dhe kërkoi që institucionet të sigurojnë kushte për zhvillimin pa pengesa të aktiviteteve parazgjedhore. Lidhur me këtë incident reagoi edhe VMRO-DPMNE-ja duke kërkuar njëjtë ndëshkimin e atyre që nxitën këtë incident dhe provokim. Valmir Kuçi