Edhe pse ka disa ditë që ka kaluar dita e Verës, në disa qytete të Shqipërisë kanë nisur përsëri të bien reshje dëbore. Në Peshkopi e Korçë, reshjet e rëna gjatë gjithë natës kanë krijuar vështirësi qarkullimi në disa akse.
Në Peshkopi, trashësia e borës brenda në qytet ka arritur në 15 centimetra, kurse në zonat rurale deri në 20 centimetra.
Edhe në rrethin e Korçës, bora ka krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve; në Qafë Plloçë dhe Grabovicë makinat këshillohen të kalojnë vetëm me zinxhirë, kurse në Qafë Thanë, Dardhë dhe Voskopojë akset janë të kalueshme dhe pa to. Në zonat e bllokuara janë vënë në veprim borëpastrueset për hapjen e këtyre akseve.
Probleme me reshjet e dëborës janë shënuar edhe në rrethet e Shkodrës dhe Pukës.
Gjatë 24 orëve të fundit reshjet e dendura të dëborës kanë krijuar probleme veçanërisht në rrethin e Pukës, atje ku rezultojnë edhe disa prej akseve rrugore të bllokuara. Shtabi i emergjencave civile pranë prefekturës së Shkodres bën më dije se akset: Qafë Mali -- Fierzë, Fushë Arrëz --Iballë dhe Qafë Qelë -- Qelëz janë të bllokuara. Ndërkohë në fshatrat e tjerë trashësia e dëborës arrin në rreth 60 cm dhe nevojitet përdorimi i zinxhirëve.
I gjithë rrethi i Pukës ka patur probleme me furnizimin me energji elektrike, ku nje defekt në linjën kryesore ka bërë që vetëm qyteti të ketë energji, ndërsa të gjithë fshatrat prej 24 orësh janë në errësirë.
Reshje të dendura ka patur edhe në rrethin e Malësisë së Madhe, ku problematike janë akset Boge -- Qafë Thore dhe Selcë -- Vermosh. Në Dukagjin janë përfshirë nga reshjet komunat Shosh dhe Pult, ku trashësia e dëborës arrin në 40 cm. Në të gjitha këto akse, menjëherë pasi reshjet të pushojnë do të ndërhyhet nga emergjencat civile me fadroma për hapjen e rrugëve. Sipas parashikimeve të sinoptikanëve reshjet e dëborës gjatë këtyre 24 orëve do t'ja lënë vendin reshjeve të shiut, ç'ka pritet të përmirësojë situaten.