TIRANE - Dy të plagosur dhe tre të lënduar lehtë ka qenë bilanci i aksidenteve deri mesditën e të mërkurës në Tiranë. Shkak për aksidentet sipas policisë ka qenë moti i keq dhe lagështia në rrugë.
Një kalimtar i moshuar është goditur nga një automjet tip Volkswagen Golf, në bulevardin "Bajram Curri", pranë kryqëzimit me rrugën e Elbasanit në Tiranë. I moshuari ka tentuar të kalojë nga njëra anë e rrugën në tjetrën, por automjeti nuk ka mundur të frenojë si pasojë e lagështirë në rrugë duke e përplasur. I aksidentuari është dërguar në gjëndje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa sipas mjekëve gjëndja shëndetësore e tij ishte në parametrat jetësorë.
Ndërsa në aksin që lidh Aeroportin e Rinasit, me Kthesën e Kamzës, një automjet tip Fiat me targa TR 6115 M, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një prej shtyllave të ndriçimit. Sipas policisë ka marrë dëmtime të lehta drejtuesi i automjetit.
Në të njëjtin aks dy automjete tip Benz janë përplasur me njëra tjetrën dhe kanë përfunduar jashtë karrexhatës. Fatmirësisht gjatë këtij aksidenti nuk pati të dëmtuar rëndë.