Në një kohë kur flitet për standarte dhe për afrim me vendet e Bashkimit Europian, realiteti në Shqipëri sa i përket tregtimit të fruta perimeve dhe produkteve ushqimore, paraqitet shqetësues, madje në kufijtë e alarmantes.
Shkodra është një prej qyteteve që e dëshmon këtë gjë, mjafton të përshkosh trotuaret kryesore të këtij qyteti dhe panorama që të ofrohet nuk ka nevojë për shumë komente. Mungesa e një tregu bën që këto tregtarë çdo ditë, të stacionohen në një pjesë të trotuarit, duke shitur djath, bulmet, fruta - perime, e deri tek qumështi, larg çdo kushti higjeno - sanitar dhe sigurie minimale për këto produkte. Vetë qytetarët, por edhe tregtarët thonë se tregtimi në këto kushte është shqetësues, por kjo vjen falë mungesës së një tregu dhe neglizhencës që në vite është treguar nga pushteti vendor.
Përveç kushteve të tregtimit, zaptimi i trotuareve është kthyer në shqetësim edhe për kalimtarët, që detyrohen të ecin në rrugë paralel me automjetet, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Qytetaret lëvizin sa në një trotuar në një tjetër për të kërkuar tregtarët fshatar, të cilët me çmime më të lira dhe produkte vendi konkurojnë dyqanet të cilat janë taksapagues të rregullt.
Por ndërsa të gjithë i ka shqetësuar situata e krijuar dhe konkurenca e pandershme, krejt e kundërta ndodh me bashkinë, e cila përballë kësaj panorame ka zgjedhur të heshtë. Asnjë investim nuk është realizuar në gjithë këto vite për ndërtimin e një tregu në qytet, ku i fundit që ishte egzistues në lagjen "Zdrale", u shemb në vitin 2009, ndërsa ai i lagjes "Rus" vetëm emrin ka të tillë.