Pas shembjes me shpërthim të komanduar të objektit 4 katësh në zonen turistike të Dhërmiut, forcat e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, vazhdojnë aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë.
Kreu i këtij inspektoriati, Zyhdi Dajti, bën me dije se nuk do të ketë asnjë tolerim për çdo rast kur vërtetohet se ato janë ndërtuar në kundërshtim me ligjin. Pjesë e aksionit të INUK, ka qenë edhe shembja e 5 objekteve të tjera po në Dhërmi të Vlorës, ndërsa mësohet se aksioni do të vijojë edhe në Himarë apo fshtrat e tjera rreth tij, ku ndërtimet në vijën e parë pranë detit janë të shumta.
Pas shpërthimit të gati 130 kg lëndë eksplozive, e cila u përdor për shembjen e hotelit 4-katësh, fadromat e INUK kanë nisur menjëherë nga puna për largimin e mbetjeve inerte, të cilat u shpërndanë si pasojë e forcës goditëse.
Ndërtimet pa leje në këtë zonë kanë qenë të profileve të drurit, por edhe betonit të cilat kanë shërbyer si dhoma pushimi për turistët gjate sezonit të verës. Ky ishte një rikthim i forcave të INUK në bregdetin Jonian pas atij të ndërmarëe gati një muaj më parë. Aksioni kësaj rradhe ka përfshirë të gjithë jugun e Shqipërisë duke ndërhyrë edhe përgjatë aksit nacional Fier- Gjirokastër, ku u shembën me dhjetra ndërtime të ngritura anë kësaj autostrade, ndërsa konfrontime janë shënuar vetëm në Mallakastër të Fierit, dhe dy ditë më parë në Dhërmi, pikërisht me pronarët e objektit katërkatësh, i cili u rrafshua gjatë ditës së djeshme.