Në Maqedoni sot mbahen zgjedhjet e pesta presidenciale, me katër kandidatë në garë për president. Iljaz Halimi nga PDSH, Stevo Pendarovski nga LSDM dhe Zoran Popovski nga GROM sfidojnë presidentin aktual Gjorge Ivanov, i cili garon për mandatin e dytë. 1 milion 778 mijë e 572 qytetarë kanë të drejtë vote në 3.480 vendvotimet në tërë vendin, nga ora 07.00 kur hapen kutitë e votimit deri në ora 19.00. Për kryetar shteti do të zgjidhet ai kandidat që do të fitojë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votuesve. Por, në rast se nuk arrihet ky census në raundin e parë, atëherë pas dy javëve do të zhvillohet raundi i dytë, ku do të garojnë dy kandidatët që kanë fituar më shumë vota. Raundi i dytë do të mbahet më 27 prill, në të njëjtën ditë kur do të zhvillohen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Këto zgjedhje do të vëzhgohen nga 8.325 vëzhgues vendor dhe 326 vëzhgues të huaj. Gjatë ditës së djeshme kanë votuar diaspora, të burgosurit dhe të zhvendosurit brenda vendit. Benjamin Arifi