Adresat fiktive të një numri të madh votuesish të regjistruar në Listën Zgjedhore nuk janë të jashtëligjshme për Ministren e Brendshme Gordana Jankullovska. Ajo tha se adresat të cilat i kishte denoncuar organizata Civil, të cilat rezultuan të jenë inekzistente, janë dhënë në vitet e 90-ta. Kjo është arsye e mjaftueshme që ministrja e brendshme Jankullovska të mos ndjehet përgjegjëse që ata vazhdojnë të figurojnë me adresa të rreme edhe në vitin 2014.
"Është evidente se bëhet fjalë për gjendje që LSDM-ja e kanë përdorur për qëllime që i dinë vetëm ata, viteve të 90-ta kur kanë qenë në pushtet. Por nuk pati sukses tentativa e tyre që këtë gjendje ta vënë në funksion të diskreditimit të këtyre zgjedhjeve, sepse qartë nuk bëhet fjalë për diçka të jashtëligjshme", tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.
'Civil' kishte denoncuar 54 votues të regjistrues në banesën nr 25 në ndërtesë me vetëm 17 banesa, dhe raste të ngjashme të adresave fiktive. Nga ana tjetër Ministrja e Brendshme Jankullovska nuk e tha asnjë fjalë për banorët e Pustecit të cilët në zgjedhjet lokale votuan në Komunën Qendër, për shkak të letërnjoftimeve me adresë në këtë komunë, ndërsa në këto zgjedhje janë paraqitur të votojnë në diasporë. Alsat M në bazë të informatave të siguruara, gjatë ditës së djeshme inspektoi disa nga këto adresa. Pamjet që xhiroi ekipi ynë treguan qartë se bëhet fjalë për banesë të pabanueshme dhe të shkatërruar, edhe pse në të janë regjistruar 8 votues nga Pusteci, me 5 mbiemra të ndryshëm. Benjamin Arifi