Bujqit e Hasanbegut, Straçincës dhe Haraçinës, u takuan sot me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti dhe kandidatët për deputet të kësaj zone. Ata patën mundësi që nëpërmjet pyetjeve direkte, të njoftohen me programin zgjedhor dhe të japin propozime të tjera.
"Ne nuk kemi pretendime për të zhvilluar teknologji të rëndë, mbase pas dhjetëra vitesh kuadrot e reja në fusha të ndryshe mund të arrijnë por ne satelitë nuk mund të prodhojmë, ne nuk mund ti konkurrojmë NASA-sa që të kontrollojmë hapësirat qiellore dhe tokësore. Me çka mundemi ne të konkurrojmë. Ne mund të konkurrojmë me produkte të bujqësisë dhe blegtorisë, dhe kemi kushte të jashtëzakonshme që është mëkat të mos shfrytëzohen. Puna e politikës është që të krijojë treg", deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Fatmir Besimi, drejtues i komisionit për hartimin e platformës zgjedhore i inkurajoi bujqit që të aplikojnë sa më shumë për marrje të subvencioneve të ofruara nga fondi evropian IPARD.
"Nga kjo pako kanë ngelur edhe 40 milion euro që ne duhet bashkarish ti shfrytëzojmë. Janë bërë reforma që ju të mund ti shfrytëzoni ato. Për të blerë mekanizim për bujqësinë, për produkte që do të ju ndihmojnë që toka të jetë më produktive. Periudhën 2014/2020, 90 milion euro shtesë nga taksa paguesit e Evropës në kuadër të fondin IPARD për bujqësi, për infrastrukturë rurale ", tha Fatmir Besimi, Drejtues i Komisionit për Hartimin e Platformës Zgjedhore.
Bujqit u ankuan se gjatë sezonit të kaluar, produktet u janë blerë shumë lirë për çka kërkuan ndihmë nga zyrtarët e BDI-së , por gjithashtu për ta më me rëndësi ishte ndërtimi i pikave grumbulluese nëpër fshatrat e tyre. Ferikan Iljazi