Nuk do të votojmë asnjë projektligj që bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë.
Kështu u shpreh Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, nga radhët e LSI-së, i pyetur mbi projekligjin e ri të hartuar nga Ministria e Mbrojtjes për Forcat e Armatosura.
Ky projektligj ka hapur debate të forta, pasi Presidenti Bujar Nishani është shprehur se i preket autoriteti në drejtimin dhe komandimin e FA-së.
Naço sqaroi sot se Presidentit të Republikës nuk do t'i merret asnjë kompetencë kushtetuese.
"Nuk besoj që në këtë rast diskutohet kandidatura e zotit Nishani si pjesëtari i kabinetit por unë besoj që në këtë mazhorancë do të votojmë të gjitha ndryshimet ligjore që nuk prekin Kushtetutën dhe komptetencat e Presidentit të Republikës. Pjesa tjetër që jemi të vendosur që ta reformojmë të gjithë sistemin, qoftë edhe atë gjyqësor por në çdo aspekt të tij. Unë në emër të qeverisë kam kërkuar nga Komisioni i Venecias që të asistojë në të gjitha reformat që ne do të bëjmë në Shqipëri. Në rrugën e nisur ne nuk jemi vetëm por kemi partnerët tanë, me të cilët do të konsultohemi për të gjitha reformat. Ne kemi një mazhorancë të konsoliduar dhe deri më sot nuk e kemi përdorur për të bërë ndryshimet pasi në çdo rast do të konsultohemi edhe me partnerët tanë" tha Naço duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve pas takimit që u zhvillua në Ministrinë e Djertësisë ku u prezantua projekti "Për një drejtësi pa vonesa".