TIRANE - Rritja "e mundshme" e çmimit të biletave për transportin urban duket se do të vijojë të bëjë "ping pong" dhe në vijim, në kushtet kur ministria e Transporteve dhe Bashkia e Tiranës, i shkarkojnë kompetencat njëra-tjetrës kush duhet të jetë vendimmarrësja për këtë. Paralelisht në dy komisione, për herë të parë është diskutuar ditën e sotme drafti për "Rregullimin e transportit urban", ku duket se i delegohen kompetencat Këshillit Bashkiak, për një rritje të biletës në të ardhmen.
Por dhe këtë herë bashkia e përfaqësuar nga nënkryetari Eno Bozdo në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese nuk ka qenë dakord me atë që propozon drafti.
Projektligji për transportin publik parashikon që kompetencat për vendosjen e çmimit të biletave, si dhe për subvencionimin e shtresave në nevojë, t'i marrë pushteti vendor.
Ndërkaq kompanitë që ofrojnë shërbimin urban kërkojnë një rritje të çmimit të biletave sepse sipas tyre rritja e akcizës së naftës ka rritur kostot e operimit të tyre në treg.
Në draft parashikohet dhe subvencionim për shtresat në nevojë pa u specifikuar dhe për këtë, koston do ta kenë buxhetet e bashkive.