VENEZUELE- Presidenti venezuelian Nicolas Maduro ka pranuar të takojë liderët e opozitës për herë të parë që prej fillimit të protestave në vend, në muajin shkurt.
Takimi u propozua nga ministrat e jashtëm të UNASUR, Unioni i Kombeve të Amerikës së Jugut. Ministrat ndodhen në kryeqytetin venezueljan të Caracas për bisedime për t'i dhënë fund dhunës në vend.
Pas takimit me diplomatët e Brazilit, Argjentinës, Kolumbisë dhe Bolivisë për më shumë se 1 orë, Maduro tha se ishte gati për të ofruar një mesazh pozitiv për paqe.
Megjithatë ende nuk ka pasur një përgjigje nga lideri i opozitës Henrique Capriles, i cili më parë është shprehur i gatshëm të takohet me qeverinë.
Protestat në Venezuelë nisën gjatë muajit shkurt për shkak të rritjes së inflacionit e dhunës në vend si dhe për mungesën e ushqimeve bazë. Të paktën 39 persona kanë mbetur të vdekur. Qeveria fajëson fashistët të mbështetur nga qeveritë e huaja të SHBA apo Panama për protestat në vend.
Autoritetet ndërkohë kanë nisur hetimin e më shumë se 80 çështjeve të shkeljes së të drejtave të njeriut kundër qeverisë dhe mbështetësve të opozitës, ku janë përfshirë 17 policë dhe ushtarakë.