ELBASAN- Kanë protestuar sërish kundër firmës "SALILLARI" e cila po ndërton aksin Qukës-Qaf Plloçë. Prej dy muajsh banorët kërkojnë nga firma që të mbrojë toka bujqësore me argjinatura mbajtëse nga devijimi i lumit të Shkumbinit. Në të kundërt sipas tyre 25 familje rrezikojnë të mbeten pa tokat bujqësore.
"Nuk ka parashikuar mbrojtje për tokën e banorëve. Prandaj ne jemi ngritur për të bëhet një rishikim të projektit", shprehet Fatmir Kryeziu, kryetar i Komunës Qukës në Përrenjas.
"Nuk jemi kundër rrugës, nuk jemi kundër devijimit të lumit por shteti duhet të mbrojë edhe individin", thotë një banor.
Përfaqësues të firmës "Salillari", thonë se po punojnë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.
"Është ndërtuar një projekt variant i ri dhe një kopje të këtij projekti i është dorëzuar pushtetit lokal që në atë kohë. Përsëri është dorëzuar një kopje tjetër kur erdhëm si vjet në janar për të vazhduar punimet. Asnjë përgjigje nuk vjen nga pushteti lokal, që të trokasin në Drejtorinë e Rrugëve që të zgjidhet kjo punë", tregon Loni Ndoni përgjegjës i firmës që ndjek zbatimin e punimeve.
Nga ky projekt preken rreth 500 banorë të fshatit Bërzeshtë, ndërsa ata kanë protestuar edhe më parë pasi sipas tyre firma "Salillari" që ndërton këtë aks nuk respekton kontratën për shfrytëzimin e lumin Shkumbin.